Sipërmarrja nuk lidhet vetëm me aktivitetet ekonomike dhe krijimet e biznesit, por më gjerësisht me të gjitha fushat e jetës dhe shoqërisë. Zhvillimi i aftësive sipërmarrëse ka një ndikim të rëndësishëm tek brezat e rinj për kohezionin social, zhvillimin personal dhe qytetarinë aktive. Por, vrulli i zhvillimit teknologjik, përballja me nevojat e zhvillimit dixhital si dhe nxitja e ideve inovative rinore, përballet me një sërë analizash e studimesh që vërtetojnë “ngërçin” dhe situatën jo optimiste për Shqipërinë:

Sipas Global Start-up Ecosystem Index 2021 nga StartupBlink (https://www.startupblink.com/startupecosystemreport.pdf), ku janë analizuar 100 vende dhe 1000 qytete, pas një viti të suksesshëm në 2020, Shqipëria ka rënë me 6 vende në renditje. I 78-ti mes 100 vendeve, i parafundit në rajon. Gjithashtu, Tirana, i vetmi qytet i renditur në Shqipëri, gjithashtu humbi terren duke u ulur me 53 vende në vendin e 488-të në nivel global.

Një studim tjetër i bërë nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim “Ekonomia Sociale mes #të rinjve në Shqipëri”, referon 2 tregues kryesorë për të rinjtë që duhen marrë në konsideratë:

  • Mbi 70% e të rinjve shqiptarë duan të largohen për shkak të varfërisë, papunësisë, përjashtimit social dhe korrupsionit që konsiderohen si shkaqet kryesore të emigracionit.
  • Norma zyrtare e papunësisë së të rinjve për vitin 2020 në total është 20,95 % (ku 21,15% femra dhe 20,85% meshkuj). Nga ana tjetër, shkalla e punësimit të të rinjve për vitin 2020 shënon 41,175%, ndërsa fuqia punëtore e të rinjve 52,05%.

“Ikje e trurit të të rinjve” i cili mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese, pasi e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Evropë me rreth 30% të studentëve që synojnë të punojnë jashtë vendit.

Të rinjtë në përgjithësi janë të talentuar, por ne duhet të jemi të sigurt se kemi krijuar mundësi dhe hapësira të përshtatshme për të zhvilluar talentin e tyre. Nga ana tjetër, të rinjtë janë më shumë të tërhequr e më shumë kuriozë drejt zhvillimeve teknologjike.

Krjimi i mundësive ku ata të shpalosin idetë e tyre inovatore në biznes, e përfshirje të mëtejshme në aktivitete e programe që do të rrisin idetë e tyre në nivele më të larta, është një mekanizëm aktivizimi rinor. E ndërthurur kjo me konkurrencën dhe përfshirjen në konkurse idehs biznesi, nxit edhe më shumë kuriozitetin dhe pjesëmarrjen e të rinjve, duke i vënë ata përpara një përgjegjësie individuale e grupi gjithashtu.

Koncepti STEAM, nga ana tjetër, po zhvillohet gjerësisht e përqafohet nga të rinjtë më ide kreative. Ndërthurja e ideve inovatore në biznes me konceptin STEAM dhe me konceptin e konkurrencës së barabartë, është një qasje e trefishtë që ky projekt sjell para të rinjve të qyteteve Berat, Durrës, Pogradec, Shkodër e Tiranë duke i ofruar mundësinë të prezantojnë idetë e tyre sipërmarrëse, të trajnohen dhe mentorohen nga ekspertët më të mirë të fushës së akademisë dhe biznesit si dhe t’u ofrohet mbështetje në sipërmarrjen e tyre duke u siguruar që ideja e tyre e biznesit do te zbatohet në një formë të sigurte dhe të qëndrueshme. Nga ana tjetër, është një mundësi promovimi të modelit të suksesshëm të të bërit biznes.

 

PREZANTONI IDETË TUAJA

Aplikoni online për të ndarë idenë tuaj me ne
KONTAKTO ME NE

Keni pyetje?
Dërgoni pyetjen tuaj